Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka shprehur shqetësimin lidhur me protestën e sotme të mbajtur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Në emër të grupit parlamentar deputeti Shemsedin Dreshaj tha: “Kjo Qeveri po prodhon vetëm kriza, e jo zgjidhje. Qeveria e Kosovës, tash e një vit vazhdon të prodhojë kriza qofshin ato politike, ekonomike e mbi të gjitha po vazhdon të krijojë krizë të mirëqenies në vend, duke varfëruar qytetarët çdo ditë e më tepër. Greva e sotme e sindikalistëve duke përfshirë dhe mësimdhënësit, vërteton se kjo qeveri qytetarëve nuk po u ofron zgjidhje por kriza. Mësimdhënësit, që ishin dikur shtyllë e rezistencës kundër armikut, tani në liri po shtypet e po diskriminohen nga kjo Qeveri.
Qeveritarët duhet ta kenë të qartë se dalja në rrugë e mësimdhënësve nuk bëhet nga qejfi, por nga zori. Ata gjenden në një situatë tejet të pafavorshme sociale-ekonomike, dhe në këtë situatë janë nga pazotësia e Qeverisë së vendit.
Ne si Aleancë i rekomandojmë Qeverisë që me urgjencë të sjell Ligjin e Pagave në Kuvend, i rekomandojmë që kjo Qeveri të merret seriozisht me arsimin dhe shëndetësinë duke impelmentuar Ligjin për sigurime shëndetësore dhe duke bërë plotësim-ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti… Bash këto dy kategori sot janë në shënjestër për të keq, dje protestuan mjekët, sot protestojnë mësimdhënësit”.
Sot para Qeverisë së Kosovës kanë protestuar punëtorë të sektorit publik duke kërkuar miratimin e Ligjit të pagave dhe nga 100 euro shtesa për punëtorët e këtij sektori./Globisot.net/