Presidentja e Republikes sw Kosovës Vjosa Osmani sot priti në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi.
Në njoftimin për media thuhet se: Osmani e njoftoi ambasadorin Minxhozi me zhvillimet politike në vend e veçanërisht për përpjekjet që po bën Republika e Kosovës për vaksinimin sa më të shpejtë të qytetarëve të vendit.
Osmani e ka falënderuar shtetin shqiptar për bashkëpunim dhe ka theksuar se:
“Në kohën e thellimit të krizës globale me pandeminë COVID–19, ne jemi të përkushtuar maksimalisht që të sigurojmë vaksina për qytetarët tanë. Ky është prioritet mbi prioritetet për ne. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe sigurimi i jetës së tyre është përkushtimi ynë i çdoditshëm”.
Më tej, Osmani dhe ambasadori Minxhozi diskutuan për mundësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë qarkullimin e lirë dhe thellimin e raporteve kulturore, ekonomike dhe politike.
Ambasadori Minxhozi pasi e uroi Osmanin për zgjedhjen si Presidente e Republikës së Kosovës theksoi:
“Ne duhet të krijojmë politika të cilat e lehtësojnë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor ndërmjet të dyja vendeve”./Globisot.net/