“Do të largohem nga kombëtarja e Argjentinës.
Nga dita e sotme nuk jam më një lojtar i saj, por do të jem përgjithnjë tifoz i Argjentinës”, ka qenë deklarata e dhënë sot nga Javier Mascherano, pas humbjes 4-3 ndaj Francës, që solli eliminimin e kombëtares amerikano-latine nga Botërori “Rusi 2018”.
Mascherano, 34 vjeç, është një nga veteranët e kombëtares së Argjentinës, por paraqitja e tij në këtë turne nuk ishte në lartësinë e duhur.
“Ndeshja ndaj Francës ishte e çmendur, takim ku dhamë gjithçka, por nuk ia dolëm mbanë. Mendoj se barazimi i tyre (2-2) na dëmtoi shumë, pasi erdhi në një moment kur në arritëm t’i përmbysnim shifrat. Megjithatë, luajtëm dhe humbëm ndaj një ekipi të madh si Franca”, tha Mascherano.
Mesfushori veteran tregon edhe gjendjen e skuadrës pas këtij eliminimi. “Jemi të shkatërruar psikologjikisht, ndjej një zbrasëti brenda meje dhe kjo kuptohet. Ëndrra jonë ishte finalja, por po kthehemi më herët në shtëpi. Bëmë shumë sforco për t’ia dalë mbanë, por nuk luajtëm shumë mirë dhe kjo na vret shumë”, tha Mascherano, që falënderon fansat që e kanë mbështetur.