Brazili e siguroi kualifikimin në 1/8-ën e finales në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, vetëm pasi në ndeshjen e tretë në kuadër të grupi E, e mposhti Serbinë me rezultatin 2-0.
Mirëpo, për një tifoze të “Selecaos”, festa e kësaj fitoreje dhe kualifikimi i Brazilit, ka pasur përfundim tragjik, pasi ajo i ka kushtuar me jetë vajzës së re.
Duket e pabesueshme, por gëzimi për kualifikimin në 1/8-ën e finales, i ka marrë jetën tifozes Tamara Maiochi, e cila është prerë në fyt nga një copë xhami e thyer, raporton “Daily Mail”.
Së bashku me miqtë e saj 30-vjeçarja ishte duke e parë ndeshjen në një shtëpi në Itatiba, në shtetin juglindor brazilian të Sao Paulos. Teksa u ngrit bashkë me pjesën tjetër të grupit për të festuar fitoren e Brazilit në fund të lojës, ajo humbi ekuilibrin dhe ra mbi një gotë që ndodhej në tavolinën aty pranë, e cila u thye dhe copat e xhamit i prenë venën e qafës brazilianes së re.
Këto janë detajet e policisë, e cila shton se miqtë u përpoqën ti ndalonin gjakderdhjen, por kur ekipet e urgjencës arritën në shtëpi, ajo ishte e vdekur.
Tifozja braziliane postoi një foto në faqen e saj të Facebook-ut më 26 prill, duke mbajtur një gotë verë në dorë dhe në postimin e saj të fundit në rrjetin social, ajo ndau një video që paralajmëronte për rreziqet e përdorimit të celularit në timon.
“Nuk e imagjinojmë kurrë se diçka e tillë mund të ndodhë me ne, por aksidentet ndodhin. Në fenë time, spiritualizëm, besoj se gjithçka ndodh për një arsye. Kjo ngjarje më ka bërë që t’i rishikoj disa qëndrime, të reflektoj dhe t’i ndryshoj disa gjëra në jetën time”, shkroi në postimin e saj Tamara Maiochi.
Por, Tamara nuk e kishte paramenduar se një incident me gotën që po mbante në dorë gjatë apelit të saj në Facebook, do t’i merrte jetën pak muaj më vonë. Ngjarje e cila mund të jetë e denjë për një film të Hoolywood-it, si ai “Final Destination”, por pak kush do ta kishte menduar se do të ndodhte në jetën reale.
Shefi i policisë Luciano Carneiro de Paiva, tha se një hetim do të hapej lidhur me vdekjen e znj.Maiochi, edhe pse çdo gjë tregon për një aksident tragjik.
Trupi i saj u dërgua në qytetin e saj të lindjes Conchal, në shtetin Sao Paulo, për ceremoninë e funeralit e cila u mbajt të premten. /Insporti.com