Kontingjenti i KFOR-it gjerman i ka dhuruar sot Forcës së Sigurisë së Kosovës automjete dhe pajisje në mbështetje të funksionit që kjo forcë ka në Kosovë.
77 komplete me vegla speciale dhe 44 automjete janë dorëzuar në një ceremoni të veçantë në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Gjeneral Brigade Uwe Becker nga KFOR-i gjerman tha se ky kontingjent sot është një hap më afër përfundimit të një kapitulli të hapur në qershor të vitit 1999 kur forca paqeruajtës e NATO-s hyri në Kosovë pas largimit të forcave të armatosura serbe.
“Është rezultat i angazhimit ndërkombëtar dhe kombëtar për të ndihmuar Kosovën për të mirë. Jam i bindur se jemi në rrugën e duhur, Gjermania kontribuon në misionin e KFOR-it që nga viti 1999’, tha Gjeneral Brigade Becker.
Ai tha se më 4 tetor, KFOR-i gjerman do t’ia dorëzojë UNMIK-ut një kamp ushtarak në Prizren të cilin e kishte shfrytëzuar që nga viti 1999.
“Ka shumë shembuj të shkëlqyeshëm të shëbimeve të FSK-së”, shtoi Becker.
“Keto automjete shënojnë futjen e një flote tjetër në FSK. Dëshira e Gjermanisë për të vazhduar mbështetjen e saj shihet tani”, tha ai.
Ndërsa Gjeneral Rrahman Rama, komandant i FSK-së, falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e dhënë kësaj force.
“Ishte Gjermania e cila na dhuroi pajisje në vitin 2006, 204 automjete. Tani prapë nga Gjermania marrim 44 automjete të tjera për shërbimet e FSK-së. Automjetet të cilat po i marrim sot do të jenë në funksion për rritjen e mobilitetit të FSK-së në kryerjen e detyrave të tyre”, tha Rama.
Ai tha se FSK është në prag të transicionit drejt ushtrisë.
“FSK është në prag të transicionit i cili do të hapë mundësi dhe rrugë të reja. FSK është institucioni më i besueshëm”, tha Gjeneral Rama.