Publicisti dhe ish-diplomati Blerim Reka, ka reaguar pas deklarimeve të presidentit rus Vladimir Putin, në takimin e së martës me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ku presidenti rus ka thënë se Donetsku e Luhansku janë bërë shtete të pavarura sipas analogjisë së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin e Kosovës.
Reka në një postim në Facebook ka shkruar: “Analogjinë e mëhershme false të “Krimesë me Kosovën”, dje Putini e “begatoi”edhe me atë të Donbasit.
Në takimin me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Guterres, ai u mundua ta shes krahasimin e paqëndrueshëm të dy rasteve krejtësisht të ndryshme.
Pavarësia e Kosovës lindi nga lufta çlirimtare kundër një shteti të huaj pushtues që ushtronte aparthejd dhe gjenocid kundër popullatës shqiptare. Ndërkaq, Kremlini njohi njëanshëm “pavarësinë“ e Krimesë, Donjeckut e Luganskut për t’i bashkuar Rusisë. Kosova, pra luftoi për çlirim kundër shtetit të huaj (Serbisë), duke e mbrojtur territorin e vet nga ky pushtim. Krimea dhe Donbasi, ndërkaq u “pavarësuan” me pushtimin nga një shtet i huaj (Rusia) duke shkëputur territor të Ukrainës.
Jo se këto nuk i din presidenti i njerit nga 5 shtetet-anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Aq më tepër që edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dallon qartë keto dy raste, duke vendosur ndryshe. Në vitin 2010, GJND-ja konkludoi se pavarësia e Kosovës nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare. Po kjo gjykatë e OKB-së muajin e kaluar, e dënoi invazionin rus në Ukrainë, si shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Më qartë se kaq shëndosh. Mirëpo, “analogjia” e Putinit synon mbajtjen e Serbisë në orbitën ruse para “hapjes së letrave” në “pokerin e madh” në East River.
Kuptohet, nëse ndërkohë, ai nuk gjykohet për krime lufte”./Globisot.net/
Diskutim rreth kësaj post