Policia e Kosovës, në bashkëpunim më AKI-në, ka arrestuar të premten pjesën tjetër të grupit të kosovarëve që në bashkëkoordinim po planifikonin të kryenin sulme terroriste në Kosovë dhe në vendet e Perëndimit.
Por, secili prej tyre kishin plane për sulme terroriste.
Leutrim Musliu, vetëm pak muaj më parë u dënua me 3 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në rastin e njohur si “Izraeli”të grupit që në vitin 2016 planifikuan hedhjen në erë, në Shkodër, të lojtarëve dhe tifozëve të kombëtares izraelite të futbollit.
Derisa, Bujar Behrami në janar të vitit 2014 ishte arrestuar si pjesë e grupit të dyshuar terroristë të cilët ishin kapur në flagrancë duke blerë armë me të cilat synon marrjen në kontroll të një prej stacioneve të Policisë së Kosovës. Por, vetëm pak muaj pas Behrami ishte liruar, derisa pjesa tjetër e grupit Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani, Genc Selimi, Valon Shala e Musli Hyseni vazhdojnë të përballën me drejtësinë në Kosovë, në gjyqin për terrorizëm që është pranë përfundimit, shkruan Express.
Resim Kastrati, nga Prizreni, ishte dëbuar nga Itali për në Kosovë në janar të 2015-ës. Ai ishte përjashtuar nga shteti italian pasi akuzohej se është ekstremist islamik dhe kishte për qëllim të nisej për xhihad.
Resim Kastrati publikisht kishte treguar gëzim për masakrën e Charlie Hebdo në rrjete sociale dhe sipas autoriteteve në Itali, atëkohë ishte ndër nxitësit kryesorë të terrorizmit islamik përmes një faqeje myslimanësh italianë në Facebook. Me t’u kthyer në Kosovë, ai ishte liruar nga autoritetet kosovare.
Më herët i njëjti ishte dëbuar edhe nga Gjermania për të njëjtat dyshime.