Luljeta Pula, ish-Kryetare e Partisë Socialdemokrate, ka reaguar ndaj deklarimeve të Kaqusha Jasharit, e cila veten e kishte quajtur kryetare historike të kësaj partie.
Me këtë konstatim nuk është pajtuar Luljeta Pula, e cila ka treguar historinë e ndarjes së PSD’së, në vitin 1994, kur kjo parti ishte ndarë në dysh. Në grupin e Luljeta Pulës dhe në grupin e Kaqusha Jasharit e Besim Bokshit.
Lula e ka kundërshtuar edhe pohimet e Jasharit se partia ishte themeluar më 1990. Ka argumentuar se PSD ishte themeluar dy vite më vonë.
“Më 1994 nën presionin e qendrave të fuqisë politike brenda Lëvizjes me skenarin dhe nën ekzekutimin e tyre pasoi tentativa e eliminimit tim politik nën akuzat si nacionaliste, populiste e autoritare”, ka shtuar Pula duke reaguar ndaj intervistës së Kaqusha Jasharit dhënë emisionit “Pressing” te Leonard Kerquki.
Lexojeni të plotë reagimin e Luljeta Pulës
REAGIM NDAJ TË PAVËRTETAVE TË DËGJUARA NË EMISIONIN “PRESSING” NË NJË INTERVISTË ME ZNJ. KAQUSHA JASHARI
E quaj të drejtë të reagoj ndaj disa të pavërtetave të cilat u dëgjuan në emision nga e intervistuara Znj. Kaqusha Jashari.
E para, Partia Socialdemokrate nuk është themeluar më 1990 siç pretendon zonja. Në atë kohë është formuar vetëm një Këshill Nismëtar në të cilin bënin pjesë një grup filozofësh dhe sociologësh të drejtuar nga Z. Shkëlzen Maliqi. Partia Socialdemokrate e Kosovës u themelua me 8 mars 1992, kur u mbajt Kuvendi Themelues i Partisë në të cilin u zgjodha Kryetarja e parë e Partisë Socialdemokrate, e zgjedhur në Kuvendin e saj themelues si Kryetare e parë legjitime e legale.
Më 1994 nën presionin e qendrave të fuqisë politike brenda Lëvizjes me skenarin dhe nën ekzekutimin e tyre pasoi tentativa e eliminimit tim politik nën akuzat si nacionaliste, populiste e autoritare.
Meqë PSDK ishte një zë ndryshe dhe jo një satelit i të mëdhenjëve ideja ishte të disciplinohej ajo. Pasoi thyerja e partisë përkatësisht Kryesisë së saj në pjesën legjitime që mbështetej nga degët dhe anëtarësia, si dhe fraksionit, surrogatit të saj ku ishin ca anëtarë të Kryesisë së vjetër kryesisht qatip të ish nomenklaturës komuniste, lojal ndaj Fuqisë politike të Lëvizjes. Ata e vunë në krye të këtij grupi të ndarë Besim Bokshin, deputet i LDK-së. Megjithatë Partia Socialdemokrate burimore, arriti të mbijetojë megjithë bllokadën e plotë politike, mediale dhe financiare.
Në këto rrethana edhe vetë skenaristët e ndarjes u detyruan të pranojnë se ka dy parti Socialdemokrate.
Pasuan mëtej emërime të kryetarëve të ndryshëm të frakcionit ndër të cilët, sa e kujtoj edhe e ashtuquajtura kryetare historike. Unë personalisht u tërhoqa nga Partia dhe nga politika pas disfatës zgjedhore të partisë në zgjedhjet komunale të vitit 2000, në shenjë të një akti moral.