Tregu shqiptar i muzikës është zgjeruar me një shpejtësi të pazakontë dekadën e fundit. Yjet e rinj të muzikës mund të thuhet pa frikë se janë ndër njerëzit e pasur në vend. Muzika e tyre dëgjohet jo vetëm ndër shqiptarë, por ka nisur të ketë jehonë edhe më tej. Megjithatë, lajmet që vijnë vazhdimisht nga ky treg na sugjerojnë se pavarësisht se fitojnë mjaftueshëm, yjet e muzikës nuk i ndahen krimit, duke qëndruar ose pranë tij, ose duke u bërë krimi vetë.
Arrestimi i këngëtares Loredana në Zvicër, e shoqja e yllit tjetër të muzikës Mozzik, ka pushtuar faqet e para të mediave jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe në Zvicër e Gjermani ku çifti ka një bazë të mirë fansash. Deri më tani mund të thuhet se Loredana ka të drejtën të thotë se është e pafajshme, sa kohë nuk është provuar e kundërta. Sigurisht!
Revista gjermane Focus shkruan se ajo akuzohet se bashkë me të vëllanë ka mashtruar një çift zviceran, duke u marrë mbi 800 mijë euro, madje duke lënë gjurmë të këtij krimi. Ironia është se në këtë rast duket sikur jeta po imiton artin, pasi këngëtarët jo vetëm i kanë bërë hit dyshes së famshme Bonnie dhe Clyde.
Katër ditë më parë, Mozzik postoi një foto pranë një makine të re të sapoblerë, një Mercedes G63, që mendohet se kushton 147 mijë euro. Sipas Indeks Online, makina mund të jetë blerë me paratë e këtij mashtrimi. Sa qëndron kjo? Vështirë të thuhet, por fakt është se Loredana dhe Mozzik janë njerëz që kanë shumë ndikim tek adoleshentët dhe të rinjtë shqiptarë.
A nuk duhet të shqetësohemi për shembullin që marrin këta të rinj? Ndoshta po, ndoshta jo! Varet se si e sheh këtë histori. Në fund të fundit, deri më tani kronikën rozë, mediat shqiptare na e kanë paraqitur vetëm rozë. Në fakt ajo ngjan e zezë në shumë raste.
Disa mund të thonë se kështu është jeta për të gjithë. Tek e fundit pse të bëjnë përjashtim këngëtarët? Mirëpo ata janë njerëz publikë që luajnë me emocionet e njerëzve. E këtu çështja komplikohet. Prandaj kjo bën që historia e Loredanës të mos jetë thjesht një lajm i kronikës rozë. Ose të zezë.