Kreu i Komitetit për Punën e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister bashkë me një grup eurodeputetësh po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Tiranë.
Siparin e takimeve, McAllister e hapi me kryeministrin Rama, pasditen e së hënës, ndërsa mëngjesin e së martës, bashkë me delegacionin u prit nga presidenti Meta.
Meta në një njoftim në Facebook ka shkruar: “Kënaqësi të takohesha me delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian të drejtuar nga kryetari i tij z.David McAllister.
I falenderova për rikonfirmimin e mbështetjes ndaj perspektivës për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, veçanërisht në kushtet kur rajoni ynë gjendet nën presionin e pasojave të argesionit të paprovokuar rus kundër Ukrainës.
I sigurova se shqiptarët vazhdojnë të besojnë tek projekti europian, si alternativën e tyre më të mirë dhe të vetme për një të ardhme të paqtë e të begatë.
Vlerësova qasjen realiste që Parlamenti Europian ka ndaj situatës në Shqipëri, duke mbështetur plotësisht shqetësimet serioze të adresuara në rezolutën e 19 majit.
Nevojitet përmirësim urgjent i llogaridhënies në çdo nivel, lirisë së medias, integritetit të zgjedhjeve, luftës kundër korrupsionit dhe gjithë problematikave të tjera, që lidhen me bllokun më të rëndësishëm të çështjeve thelbësore.
Theksova domosdoshmërinë e forcimit të institucioneve demokratike, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, si shtyllat kryesore të funksionimit të shtetit në një vend që aspiron anëtarësimin në BE.
Çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka rëndësi parësore, si për vendet tona ashtu edhe për vetë BE, për të siguruar transformimin demokratik përmes reformave të vërteta dhe të pakthyeshme”.
Takimet e tij, McAllister i vijon me Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi atë të Drejtësisë, Ulsi Manja, kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryetaren e Këshillit të Integrimit, Jorida Tabaku, si dhe anëtarë të shoqërisë civile.
Në qendër të diskutimeve në këto takime janë gjetjet e rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë, e cila u miratua me 519 vota pak ditë më parë. Problematikat e evidentuara nga rezoluta do t’i adresohen personalisht dhe drejtuesve të shtetit nga McAllister.
Vizitën e tij në Tiranë, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme e përmbyll me një konferencë për mediat në orën 13:00, në ambientet e Europe House./Globisot.net/
Diskutim rreth kësaj post