Tre anëtarë të stafit mjekësor të spitalit ku u trajtua ish-trajneri legjendar i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, për gjakderdhje në tru, janë duke u hetuar pasi që i kishin kontrolluar të dhënat mjekësorë të skocezit pa lejen e tij.
Dy mjekët dhe këshilluesi i atij spitali, të cilët janë duke u hetuar, nuk ishin pjesë e stafit që po përkujdesej për Fergusonin në Salford Royal, përderisa ai ishte duke luftuar me vdekjen këtë verë, transmeton Gazeta Express.
Të paktën dy infermiere janë gjithashtu duke u marrë në pyetje për shkak se besohet që ato kishin ndihmuar për t’ia siguruar tre personave të tjera qasjen në të dhënat mjekësorë të ish-trajnerit skocez.
“Ne mund të konfirmojmë se një pjesë e stafit që punon në Salford Royal është duke u hetuar për momentin për shkak të shkeljes së të drejtës në privatësi për të dhënat mjekësorë”, ka thënë zyrtari i spitalit, Chris Brookes.
“Këto hetime janë duke vazhduar me individët të cilët janë të përfshirë dhe pas hetimeve do të zbulohet se ai i kanë kontrolluar ata të dhënat mjekësore elektronike të një pacienti pa marrë leje apo autorizim për këtë gjë”.
“Ne i kemi kërkuar falje disa herë pacientit dhe familjes së tyre dhe ne do të vazhdojmë t’i mbajmë ata të informuar për çdo fazë të këtij hetimi”.
Fergusoni, i cili u largua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit në vitin 2013 pas 26 viteve në këtë pozitë, u detyrua të bëhej urgjentisht operacion në fillim të majit të këtij viti, pasi që kishte pasur gjakderdhje në tru.
Skocezi e publikoi një video në korrik, përmes faqes zyrtare të ‘Djajve të kuq”, ku e falënderoi stafin në spitalin Salford Royal, që i kishin ndihmuar në rrugën e tij drejt shërimit.