Deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, pronar i kompanisë “Elkos Group”, është deklaruar pasi AKP-ja e gjobiti këtë kompani me 1.3 milionë euro. Kelmendi thotë se e dënuan për hakmarrje politike.
I papritur dhe i pavend i duket Ramiz Kelmendit vendimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për ta ndëshkuar kompaninë e tij me 1.3 milion euro për shkak të mospërmbushjeve të detyrimeve kontraktuale pasi ai kishte blerë kompaninë “Famipa”.
Kelmendi për Gazetën Express ka thënë të kundërtën e asaj që thuhet në vendimin e AKP-së.
“Unë kam plotësuar tri kërkesat që më janë kërkuar me rastin e privatizimit të Famipa-s”, ka thënë Kelmendi.
Arsyeja e dënimit prej mbi 1 milion eurove, deputeti i LDK-së thotë se është kryekëput politike. Ndërrimi i partive, për çka njihet Kelmendi, thotë të jetë arsyeja kryesore e marrjes së dënimit.
“Arsyet pse jam dënuar lidhen me politikën. Ky dënim është hakmarrje politike. Këtë ma ka bërë PDK-ja për shkak se unë jam larguar nga kjo parti. Ata që përgatisin raportet për bordin e AKP-së, janë njerëz të PDK-së”, tha Kelmendi. /Express/