Prishtinë, 4 maj – Rreth 130 projekte janë në pritje të subvencioneve nga Komuna e Prishtinës. Edhe pse është muaji i pestë i vitit dhe organizatorë ngjarjesh kulturore ende nuk kanë marrë përgjigje nëse do të kenë mbështetje financiare.
Disa prej udhëheqësve të festivaleve muzikore që tashmë kanë përfunduar, thonë se janë të shqetësuar se vonesat e tilla do t’u shkaktojnë dëme. Thirrja për të konkurruar për subvencione ishte hapur tek në muajin mars, ani pse ishte thënë se një gjë e tillë do të ndodhte në mesin e muajit shkurt. Kjo gjë është arsyetuar me digjitalizimin e procesit të subvencioneve. Në dokumentin me titull “Udhëzuesit për aplikantë”, në pjesën e fazës së procedurës së thirrjes është specifikuar edhe data se kur do të duhej të bëhej njoftimi i përfituesve të subvencioneve.
“Afati i fundit për publikimin e vendimit për ndarjen e fondeve publike dhe njoftimi i aplikantëve – 30.03.2018”, shkruhet në këtë dokument.
Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Yll Rugova, ka thënë se kjo datë është e shkruar gabimisht dhe se afati i fundit është data 30 e muajit prill. Por njoftimi ende nuk është bërë. E për këtë ai ka një arsyetim tjetër.
“Komisioni ka bërë vlerësimet më datën 30 prill, dhe ato do të bëhen publike në momentin e parë që aprovohen nga kryetari. Nuk ka vonesa. Këto janë procedurat e parapara edhe me Rregulloren për subvencione”, ka thënë Rugova (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).