Topat e parë të Luka Modricit nuk ishin të artë. Ata madje as nuk i plotësonin kriteret e cilësisë. Por, ata topa kanë më shumë vlerë për kroatin se këta që i posedon tani. Ai ishte refugjat i luftës dhe ishte larguar nga bombardimet në shtëpi, ku edhe gjyshi i tij ishte vrarë nga serbët.
Këta topa të cilësisë së ulët ishin lojë shumë më e mirë për kroatin se video-lojërat të cilët filluan të popullarizoheshin në vitet e 90-ta. Ata e lejuan Modricin të ëndërronte, edhe kur ëndrrat e tij ishin ende shumë të vogla, transmeton Gazeta Express.
Tani, ai e posedon një Top të Artë. 33-vjeçari kroat, i gjatë vetëm 172 centimetra, i ka mposhtur dy nga futbollistët më të mirë në histori të futbollit, Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin. Ai shkoi në zemrën e Francës, në Paris, dhe e mori një çmim francez në vitin kur Franca e kishte fituar Kupën e Botës.
Modrici luante futboll në parkingun e veturave të një hoteli që shërbente si shtëpi për refugjatët në Zadar. Në atë vend, Modrici filloi të fantazonte për idhullin e tij, Zvonimir Boban. “Shembulli im, si lojtar dhe si person, është Zvonimir Boban”, ka thënë ai. Për këtë arsye ekzistojnë fotografitë e Modricit të veshur me rroba me logo të Milanit.
Modrici ka fituar shumë luftëra gjatë jetës së tij, disa larg Ballkanit dhe gjithmonë me topin afër këmbëve të tij. Kur ai shkoi në Hajduk Splik prapa shpinës së Tomislav Basicit, atij iu ndalua të luante futboll për disa jave. Basici e detyronte atë të mbahej me duar për t’u bërë më i gjatë.
Ai u transferua si huazim dy vite radhazi, fillimisht në Zrinjski Mosta në Bosnjë dhe pastaj në Inter Zapresic në Kroaci. Pastaj ai u bë i famshëm me fanellën e Tottenhamit, e më vonë e detyroi klubin ta shiste në Real Madrid, ku fitoi shumë tituj. Pastaj, ai bëri diçka të jashtëzakonshme me Kombëtaren e Kroacisë, duke shkuar deri në finale të Kupës së Botës.
Lufta e tij e fundit ishte përmbushja e ëndrrës së tij: të pensionohet në Real Madrid. Edhe klubi edhe lojtari dëshirojnë që historia e karrierës së Modricit të mbyllet me fanellën e bardhe me numrin dhjetë në shpinë.